A ju duhen me të vërtetë suplemente?Çfarë duhet të dini për vitaminat dhe multivitaminat
Suplementet gjenden kudo – në farmaci, supermarkete, në internet. Shumë njerëz marrin vitamina “për çdo rast”, për më shumë energji, imunitet më të mirë ose shëndet të përgjithshëm.
Por është e rëndësishme të dini: suplementet nuk janë zëvendësim për ushqimin e shëndetshëm – dhe nuk janë gjithmonë të domosdoshme.
Çfarë janë suplementet?
Suplementet janë produkte që përmbajnë vitamina, minerale ose substanca të tjera (si omega-3, bimë ose probiotikë). Ato përdoren për të plotësuar lëndët ushqyese – jo për të zëvendësuar ushqimin.
A kanë nevojë shumica e njerëzve për suplementet?
Në shumicën e rasteve – jo.
Nëse ushqeheni në mënyrë të larmishme (fruta, perime, drithëra, proteina), trupi zakonisht i merr vitaminat e nevojshme përmes ushqimit.
Hulumtimet tregojnë se tek njerëzit e shëndetshëm, marrja e rregullt e multivitaminave nuk sjell përfitime të rëndësishme shëndetësore.
Kur suplementet kanë kuptim?
Ka situata kur suplementet janë të dobishme ose të domosdoshme:
Mungesa e një vitamine (p.sh. vitamina D, B12, hekur).
Shtatzënia (acid folik).
Gjendje shëndetësore të caktuara.
Dietë e kufizuar (p.sh. dietë vegane).
Në këto raste, suplementet duhet të merren vetëm me rekomandim nga mjeku.
Cili është problemi me ‘’për çdo rast”?
Shumë njerëz mendojnë: “Nuk ka dëm, është vetëm vitaminë.”
Por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë:
Dozat e mëdha mund të jenë të dëmshme.
Disa vitamina grumbullohen në trup.
Mund të ketë ndërveprime me ilaçe.
Mund të krijojnë ndjesi të rreme se nuk duhet të kujdeseni për ushqimin.
A janë multivitaminat zgjidhje?
Multivitaminat duken si një “zgjidhje universale” – pak nga gjithçka. Por trupi nuk funksionon në atë mënyrë.
Nëse nuk keni mungesë, trupi nuk ka përfitim shtesë nga teprica e vitaminave. Në disa raste, ato thjesht eliminohen, ndërsa në të tjera – mund të krijojnë disbalancë.
Si të merrni vendimin e duhur?
Para se të merrni një suplement:
Pyetni veten pse ju nevojitet.
Bisedoni me mjekun ose farmacistin.
Mos u udhëhiqni vetëm nga reklamat ose rekomandimet nga interneti.
Përfundim
Suplementet mund të jenë të dobishme – por nuk janë një zgjidhje magjike. Për shumicën e njerëzve, ushqimi i balancuar është “suplementi” më i mirë. Merrini vetëm kur ka një nevojë reale dhe gjithmonë me këshillë profesionale.